Mirëserdhët në ueb faqen e Agjencisë Evropiane për Rindërtim

 

Detyra e Agjencisë Evropiane për Rindërtim është të menaxhojë programet kryesore të asistencës së Bashkimit Evropian në Republikën e Serbisë (përfshirë Kosovën e administruar nga KB-të), Republikën e Malit të Zi dhe Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

 

Agjencia është themeluar në themeluar në shkurt të vitit 2000 si krahu kryesor rindërtues i BE-së në Kosovën e shkatërruar nga lufta, duke u zgjeruar më vonë në Serbi, Mal të Zi dhe Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Selia e agjencisë ndodhet në Selanik, Greqi. Ajo ka qendrat e saj operative në Prishtinë, Beograd, Podgoricë dhe Shkup.

 

Një agjenci e pavarur e Bashkimit Evropian, AER-i i jep llogari Këshillit dhe Parlamentit të Evropës, ndërsa mbikëqyret nga një Bord Drejtues i përbërë nga përfaqësuesit e 27 shteteve anëtare të Bashkimi Evropian dhe Komisionit Evropian.

 

Fondet e asistencës së KE-së të cilat i janë lënë në menaxhim Agjencisë në vitin 2005 arrijnë shumën prej rreth 282 milion eurosh. Që nga viti 2000, Agjencia ka menaxhuar gjithsejtë rreth 2.6 miliardë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së nëpër të katër qendrat operative.

 

Programet e reja të financuara nga Komisioni Evropian e të menaxhuara nga Agjencia janë përpiluar që të mbështesin qeverisjen e mirë, ndërtimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit, si dhe zhvillimin e një ekonomie të tregut duke investuar më tej edhe në infrastrukturën e rëndësishme fizike dhe mbrojtjen e ambientit. Ato gjithashtu përqendrohen në zhvillimin social dhe forcimin e shoqërisë civile.

 

Qëllimi i këtyre përpjekjeve është të përforcojë proceset vetanake reformuese të rajonit duke forcuar ‘makinerinë e shtetit’ të administratës qendrore dhe lokale, policinë, gjyqësorin, financat publike dhe ofruesit e shërbimeve komunale shtetërore.

 

Agjencia punon brenda Programit të Asistencës së Komunitetit për Rindërtim, Zhvillimin dhe Stabilizim (“CARDS”), një angazhim më i gjerë i Bashkimit Evropian i cili gjithashtu përfshinë edhe Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kroacinë. Në fakt, ky është pjesë e procesit të Stabilizimit dhe Asocimit të BE-së – element kyç i politikës së Unionit drejt rajonit të prekur nga një konflikt që zgjati me vite. 

 

Serbia, Mali i Zi dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë gjithashtu përfitojnë edhe nga asistenca e Komisionit Evropian e cila nuk menaxhohet nga Agjencia. Kjo përfshinë ndihmën makro-financiare, humanitare, demokratizuese, atë të doganave dhe planifikimit fiskal, mbështetjen për programet e bashkëpunimit të edukimit të lartë, programin rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për Shtyllën e Bashkimit Evropian të Administratës së KB-së në Kosovë. Rajoni gjithashtu përfiton edhe nga kontributet bilaterale të shteteve anëtare të BE-së.

 

Qendrat Operative të Agjencisë që shpërndajnë materiale edhe në gjuhën shqipe:


- Kosovë
- Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë